Më 29 janar, 2016 Qendra për dialog Nansen Shkup organizoi konferencën me ligjëratat e ekspertëve ndërkombëtar në temën: “Konceptet Evropiane dhe ndërkombëtare për arsimim të integruar dhe dialog interkulturor”. Konferenca u realizua në hapësirat e komunës së Çairit dhe u organizua si pjesë përbërëse e nivelit të avancuar të trajnimeve për arsimim të integruar në suaza të Qendrës për trajnim pranë QDN Shkup.

Gjatë konferencës u realizuan ligjërata nga ekspertë të dalluar ndërkombëtar të cilët janë pjesë e ekipit ndërkombëtar të trajnuesve pranë Qendrës për trajnim për arsimim të integruar. Ligjërata e parë u realizua nga prof.dr. Steinar Bryn nga Nansen Qendra për paqe dhe dialog në Lilehamer, Norvegji në temën “Arsimi i integruar si një trend dhe tendencë globale” ndërsa ligjërata e dytë u realizua nga prof.dr. Zvi Bekerman nga Universiteti Hebre i Jerusalemit në temën: Shkollat e integruara dygjuhësore palestineze-arabe/hebreje  si metaforë për realitet të ndryshëm- sukses apo dështim”. Pas ligjëratave, pjesëmarrësit kishin rastin që të marrin pjesë në sesionet e parapara për diskutime dhe shkëmbim të mendimeve dhe eksperiencave.

Pas pjesës formale të Konferencës, 5 grupeve të pjesëmarrësve (grupi 6, 7, 8, 9 dhe 11) iu ndanë certifikata për përfundim të suksesshëm të nivelit të avancuar për arsimim të integruar. Pjesëmarrësve iu drejtuan: këshilltari i ministrit të arsimit dhe shkencës, Safet Neziri, drejtori ekzekutiv i QDN Shkup, Sasho Stojkovski dhe menaxherja e Qendrës për trajnim, Biljana Krsteska- Papiq.

Në konferencën morën pjesë  rreth 100 arsimtarë, profesorë, bashkëpunëtorë shkollorë të cilët me sukses përfunduan nivelin e avancuar të trajnimeve për arsimim të integruar.

Foto galeria.