I tërësishëm dhe indikativ – kështu mund të përshkruhet hulumtimi i përmbajtjes së librave shkollorë në arsimin fillor, i realizuar nga Qendra për Dialog Nansen Shkup (NDC) në 2017, me një ekip prej pesëmbëdhjetë ekspertësh dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Qëllimi i hulumtimit ishte inspektimi i përfaqësimit dhe mënyrave të paraqitjes së veçorive kulturore dhe ndërveprimit ndërmjet bashkësive të ndryshme etnike në vend.
Hulumtimi zbulon përmbajtje që nuk janë në favor të barazisë etnike, gjinore, sociale, kulturore dhe gjuhësore. Korrigjimi i këtyre përmbajtjeve mund të çojë në libra me cilësi më të lartë nga pikëpamja multikulturore dhe ndërkulturore.
Analiza u realizua në bazë të gjashtë kategorive: identitetit kulturor, ndërveprimit midis entiteteve të ndryshme, stereotipet dhe paragjykimet, emrat personalë dhe autorët, përfaqësimit të atdheut dhe hapjes ndaj botës.
Në vitin akademik 2015/2016, gjithsej janë analizuar 399 libra shkollorë në gjuhët mësimore maqedonase, shqipe, turke dhe serbe.
Hulumtimi sugjeron nevojën për përfshirjen e më shumë përmbajtjeve në të gjitha librat shkollorë në të gjitha gjuhët mësimore që do t’u lejojë nxënësve të njihen me tiparet kulturore të të gjitha komuniteteve në Maqedoninë e Veriut. Pastaj, në vend që të theksojnë ndryshimet, librat shkollorë duhet të theksojnë ngjashmëritë, të promovojnë ekuilibrin gjinor dhe etnik dhe të prezantojnë përmbajtje në lidhje me vlerat universale njerëzore.
Në të njëjtin vit, QDN u ftua nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të udhëhequr procesin e reformave në arsimin fillor. Detyra kryesore e QDN-së në reformë ishte përfshirja e elementit ndërkulturor në kurrikulat e rregullta. Një grup ekspertësh u formua në të gjitha lëndët brenda kurrikulës, i cili përgatiti përmbajtjet për klasën e parë, të dytë dhe të tretë të arsimit fillor. Përmbajtja u dërgua për vlerësim në Irlandën e Veriut, ku u vlerësuan me notë shumë të lartë.