Integrues dhe modern. Modeli Nansen për arsimin ndërkulturor (NMIE) u zhvillua dhe u implementua praktikisht në Maqedoninë e Veriut për herë të parë në 2007. Në krijimin e tij u punua për dy vjet gjatë realizimit të projekteve për dialog dhe pajtim në zonat e prekura nga konflikti i vitit 2001.

Ky model i arsimit i afron nxënësit, prindërit dhe mësuesit nga bashkësi të ndryshme etnike përmes një procesi modern arsimor. Ai mbështet dhe promovon bashkëpunimin midis tyre duke kultivuar vlerat kulturore dhe gjuhësore. Deri më tani, modeli është aplikuar në më shumë se tridhjetë shkolla fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon dhe tregon rezultate të shkëlqyera.

Ky model ka kontribuar në hapjen e një numri të madh të shkollave në vend, të cilat organizojnë procesin arsimor në më shumë ambiente dhe ndërrime shkollore, në bazë të dallimeve etnike dhe gjuhësore, duke u mundësuar nxënësve të cilët mësojnë në gjuhë të ndryshme mësimore të zhvillojnë së bashku aktivitete jashtëshkollore.

Ky lloj aktiviteti funksionon duke formuar tandemë të mësuesve që punojnë në të njëjtën shkollë, por japin mësim në klasa në gjuhë të ndryshme mësimore, për shembull maqedonisht dhe shqip. Jashtë orëve të rregullta mësimore, ata i bashkojnë dy klasat e tyre në një përmes aktiviteteve jashtëshkollore, të cilat i realizojnë paralelisht në të dy gjuhët. Kështu, si mësuesit, ashtu edhe nxënësit njohin gjuhën “e tjetrit” sepse ajo është e pranishme drejtpërdrejt dhe spontanisht përmes aktiviteteve. Përveç gjuhës, nxënësit njihen me kulturën, traditën, vlerat dhe karakteristikat e tjera të disa etnive në vend.

Modeli ofron një lidhje të ngushtë midis përmbajtjes së plan-programeve zyrtare dhe përmbajtjes së aktiviteteve jashtëshkollore të natyrës joformale. Qasja dygjuhëshe dhe puna ekipore kontribuojnë për një proces më të mirë arsimor dhe pasurojnë shkathtësitë dhe aftësitë e nxënësve të cilat do t’u nevojiten në jetë.

Kjo ndikon pozitivisht edhe tek arsimtarët dhe prindërit duke kontribuar për një bashkëjetesë më cilësore në shoqërinë multietnike të Maqedonisë së Veriut.