Më 12 gusht, 2014 në hapësirat e komunës Gostivar u nënshkrua marrëveshja për bashkëpunim mes Qendrës për Dialog Nansen Shkup dhe komunës Gostivar me qëllim të fillimit të projektit modeli Nansen për arsimim të integruar në shkollën fillore “Goce Dellçev”. Marrëveshja u nënshkrua nga ana e prefektit të komunës, Nevzat Bejta dhe drejtorit ekzekutiv të QDN Shkup Sasho Stojkovski.

Në projekt do të jenë të inkuadruar nxënës, arsimtarë dhe prindër nga komuniteti etnik Maqedonas dhe Shqiptar ndërsa qëllimi i  tij është rritja e nivelit të integrimit përmes aktiviteteve të integruara jashtëmësimore, programeve për trajnimin e mësimdhënësve dhe drejtorëve si dhe programeve për bashkëpunim me prindër.

Qendra për Dialog Nansen Shkup ka siguruar bursat për trajnimin e kuadrove arsimore të cilët do të jenë përgjegjës për realizimin e drejtpërdrejte të aktiviteteve të integruara jashtëmësimore sipas Programeve vjetore të hartuara nga ana e QDN Shkup, dhe njëkohësisht do të ofrojë përkrahje eksperte-konsultative për ushëheqësinë e shkollës dhe kuadrot arsimore në suaza të implementimit të aktiviteteve të planifikuara të projektit.

Më 22 maj 2014, QDN Shkup organizoi prezantim për prindërit e nxënësve të klasës së dytë nga paralelet në gjuhën maqedonase dhe shqipe në suaza të SHFQ “Goce Dellçev” në Gostivar. Prindërit shprehën interes të madh dhe përkrahje për projektin dhe e dhanë pëlqimin e tyre për pjesëmarrjen e fëmijëve në aktivitetet e integruara jashtëmësimore të cilat janë pjesë e modelit Nansen për arsimim të integruar.

Realizimi i aktiviteteve përgatitore për fillimin e projektit do të fillojë në shtator 2014, ndërsa fillimi zyrtar i projektit është planifikuar për muajin tetor 2014.