Gjatë muajit nëntor 2018 mësimdhënësit Elena Popovska dhe Lindita Jusufi realizuan aktivitete nga tema mujore Nëpër Maqedoni, e sekcionit Paqe dhe Tolerancë. Në kuadër të temës mujore ishin të përfshira temat: Festojmë, Ngjyrat e tryezës, Muzika dhe instrumentet muzikore dhe Bukuritë natyrore.

Për realizimin e aktivitetit Festojmë, nxënësit të ndarë nëpër grupe krijuan pllakat me simbolet shtetërore, flamurin, stemën dhe himnin e Republikës së Maqedonisë si dhe festat më të rëndësishme shtetërore. Nëpërmjet këtij aktiviteti nxënësit njoftohen me simbolet shtetërore të Republikës së Maqedonisë si dhe me festat e mëdha shtetërore.

Për aktivitetin Ngjyrat e tryezës, nxënësit sollën ushqime tradicionale maqedonase dhe shqiptare të përgatitura paraprakisht dhe ushqimet e tyre i prezantuan para shokëve të klasës. Ndër tjera, ky aktivitet ka për qëllim nxitjen e ndjenjave patriotike mes nxënësve duke promovuar traditën dhe zakonet e pasura.

Për aktivitetin Muzikë dhe instrumentet muzikore,  nxënësit diskutuan për instrumentet muzikore, cilat janë instrumentet muzikore dhe kostumet popullore maqedonase dhe shqiptare, dhe në fund përgatitën pllakat. Ky aktivitet ka për qëllim inkurajimin e nxënësve për të zbuluar pasurinë e diversitetit në trashëgiminë dhe traditën muzikore në Republikën e Maqedonisë.

Për realizimin e aktivitetit Bukuritë natyrore, nxënësit hulumtuan për florën dhe faunën në Maqedoni dhe rezultatet e tyre i paraqitën në një pllakat, ku bënë sintezën e përbashkët e specieve të rralla të florës dhe faunës në Maqedoni. Fjalët u shkruan në të dyja gjuhët. Qëllimi i këtij aktiviteti është të mbështesë interesin e nxënësve për të zbuluar veçoritë e florës dhe faunës në Republikën e Maqedonisë.

Gjatë këtyre aktiviteteve nxënësit treguan interesim për të bashkëpunuar me shokët dhe shoqet për t’i realizuar detyrat e tyre grupore. Aktivitetet ishin të shoqëruara edhe me lojra të ndryshme me qëllim që aktiviteti të jetë më tërheqës për nxënësit, por në të njëjtën kohë edhe më lehtë të njihen dhe të tejkalojnë stereotipet dhe paragjykimet lidhur me përkatësinë e tyre etnike dhe kulturore.