Më 7 qershor 2017, QDN Shkup ishte nikoqir i një delegacioni të përfaqësuesve nga shoqata Piccolo Fiore nga Biella, Itali. Përfaqësuesit realizuan takim me personelin e QDN Shkup dhe mësimdhënësit- zbatues të modelit Nansen për arsimim të integruar të cilët morën pjesë në vizitat studimore në Itali në suaza të projektit “Ponti di Solidarieta” i zbatuar nga shoqata Piccolo Fiore në Itali me përkrahje të QDN Shkup. Gjatë takimit, QDN Shkup i informoi përfaqësuesit e delegacionit për zhvillimet e fundit të modelit Nansen për arsimim të integruar ndërsa mësimdhënësit ndanë mbresat e tyre nga pjesëmarrja në vizitat studimore.

Bashkëpunimi mes Qendrës për dialog Nansen Shkup dhe Shoqatës Piccolo Fiore u themelua në tetor të vitit 2014 kur përfaqësuesit e shoqatës kontaktuan zyrën е QDN Shkup, në mënyrë që të eksplorojë mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen si dhe për shkëmbimin e eksperiencës ndërmjet dy organizatave, veçanërisht në fushën e programeve arsimore. Që atëherë, janë realizuar dy vizita studimore për mësimdhënës si rezultat i bashkëpunimit të ndërsjellë.

Shoqata Piccolo Fiore është themeluar në vitin 1984 për të mbështetur organizatën humanitare Domus Leticie. Veprimet e shoqatave janë të drejtuara drejt aktiviteteve që mbështesin solidaritetin shoqëror, kryesisht në fushën e përfshirjes dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuar. Shoqata bashkëpunon ngushtë me grupet e tjera dhe organizatat vullnetare në komunitetin lokal dhe është anëtar i Këshillit Social të Vullnetarëve për qytetin e Biella, Itali.