Në kohë dhe gjithëpërfshirës – këto fjalë mund ta përshkruajnë programin për dialog dhe pajtim, i cili luajti një rol kryesor në rivendosjen e besimit dhe bashkëjetesës midis komuniteteve etnike maqedonase dhe shqiptare në Komunën e Jegunovcës – zonë kjo që u prek nga konflikti i armatosur në 2001.
Qendra për Dialog Nansen Shkup (QDN) filloi programin në 2005 kur ndarja u bë më e theksuar dhe shkolla fillore në Shemshovë u nda në dy objekte për të dy bashkësitë etnike.
Ekipi i QDN filloi një mision për të mundësuar që “dy botë të ndara” të rifitojnë besimin e ndërsjellë të humbur, veçanërisht midis të rinjve që duhet të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët.
Përfaqësuesit e QDN mbajtën takime me banorët lokalë, stafin e shkollës dhe vetëqeverisjen lokale. Ata arritën të krijojnë një grup punues që organizoi disa seminare në Strugë dhe Ohër, të cilët, ndër të tjera, diskutuan kryesisht sfidat e përditshme të banorëve të komunës. Banorët arritën në përfundimin se, pavarësisht prejardhjes së tyre etnike, të gjithë përballen me të njëjtat sfida – mungesa e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, infrastruktura rrugore e pazhvilluar, kushtet e këqija në shkolla, etj.
QDN së pari siguroi fonde për të përmirësuar kushtet në shkolla. Investimet në shumicën prej tyre u bënë në të gjitha vendbanimet e Komunës së Jegunovce, ku ishte më e nevojshme – në disa prej tyre, u riparuan hapësirat sanitare, në disa klasat, në të tjera oborret dhe terrenet e lojërave.
Filluan kurset e gjuhës angleze dhe shkencave kompjuterike dhe grupet e nxënësve që ndoqën mësime për herë të parë ishin me përbërje të përzier etnike. Interesi për të ndjekur këto kurse shpejt u rrit dhe klasat e gjuhës angleze dhe shkencave kompjuterike u hapën pothuajse në të gjitha shkollat. Përveç nxënësit, kjo bashkoi prindërit që filluan të marrin pjesë në Klubin e Prindërve dhe Klubin e Ndërmjetësimit.
QDN gjithashtu siguroi fonde për ndërtimin e një sistemi të ri të furnizimit me ujë në Komunën e Jegunovcës. Shumë delegacione vendase dhe të huaja erdhën në komunë për të parë procesin e zgjidhjes së çështjeve lokale.
Imazhi negativ i marrëdhënieve ndëretnike në komunë ka ndryshuar plotësisht. Kjo rrjedhë pozitive e ngjarjeve krijoi një klimë të mirë për krijimin e shkollave të para të integruara dygjuhëshe në Maqedoninë e Veriut, në fshatin Preljubishte në vitin 2008 dhe 2010.
Kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e donatorit kryesor – Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë.