Qendra për dialog Nansen Shkup me kënaqësi shpall publikimin nga hulumtimi “Multikulturalizmi dhe interkulturalizmi në tekstet shkollore prej klasës së parë deri në të pestën në arsimin fillor në Republikën e Maqedonisë”. Hartimi i dokumentit u realizua me përkrahje financiare nga Ministria e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë përmes Qendrës për Dialog Nansen – Shkup dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë.
Hulumtimi i teksteve shkollore, të cilat përdoren në procesin mësimor me nxënësit prej klasës së parë deri në të pestën të arsimit fillor nëntëvjeçar, u zbatua me qëllim që të bëhet një këqyrje sa i përket përfaqësimit dhe mënyrës së pasqyrimit të karakteristikave kulturore dhe interaksionit midis bashkësive të ndryshme etnike të cilat jetojnë në Republikën e Maqedonisë, lidhur me përfaqësimin e përmbajtjeve multikulturore sa i përket kontekstit më të gjerë global. Gjendjet e identifikuara mundësojnë të perceptohet nëse dhe sa tekstet shkollore i sensibilizojnë nxënësit nga mosha e hershme shkollore, lidhur me diversitetet me të cilët rrethohen dhe stimulimin e dialogut dhe bashkëpunimit interkulturor. Në këtë mënyrë, nga njohuritë e fituara do të rezultojnë udhëzime për avancimin e cilësisë së teksteve shkollore nga aspekti i multikulturalizmit dhe interkulturalizmit, ndërkaq me këtë do të paraqesin kontribut në ndërtimin e ambientit interkulturor edukativ-arsimor në Republikën e Maqedonisë.
Në hulumtim janë përdorur metoda dhe procedura të kombinuara kualitative dhe kuantitative, ndërsa rezultatet janë pasqyruar përmes deskripsionit narrativ, tabelave dhe ilustrimeve me shembuj.
Në proces është analiza e teksteve shkollore nga klasa e gjashtë deri në të nëntën të arsimit fillor nëntëvjeçar. Raporti nga analiza dhe hulumtimi i teksteve shkollore do të përpilohet deri në fund të muajit shtator 2017.
Për ta shkarkuar dhe lexuar publikimin “Multikulturalizmi dhe interkulturalizmi në tekstet shkollore prej klasës së parë deri në të pestën në arsimin fillor në Republikën e Maqedonisë”, ju lutemi klikoni në vegëzën në vazhdim