Unike dhe bashkuese. Kështu mund të përshkruhet shkolla fillore “Fridtjof Nansen”, e cila u hap në tetor të vitit 2008 në fshatin Preljubishte, në Komunën e Jegunovcës.

Kjo ishte shkolla e parë e integruar dygjuhëshe në Maqedoninë e Veriut në të cilën u ndërmorën hapa pionierë për t’i afruar fëmijët maqedonas dhe shqiptarë nga kjo pjesë e rajonit të Pollogut, ku në atë kohë akoma ndjeheshin efektet e konfliktit të vitit 2001.

Në vendbanimet ku ishin shkaktuar ndarje të thella etnike, Qendra për Dialog Nansen në Shkup (QDN) filloi një mision që shumëkujt i dukej i pamundur në atë kohë – nxënës nga dy bashkësi etnike, tek të cilët mbisundonte një mosbesim i ndërsjellë, do të msonin së bashku në të njëjtin objekt dhe në të njëjtat klasa.

Me përkushtim, vigjilencë dhe këmbëngulje, ekipi i QDN arriti të fitojë besimin e prindërve të cilët me guxim mbështetën hapjen e shkollës.

Kështu,  në shkollën e vogël në fshatin Preljubishtë filluan vitin shkollor 24 nxënës të klasave të para, gjysma e kombësisë maqedonase dhe gjysma e kombësisë shqiptare. Shumë prej tyre për herë të parë mësuan nga ndonjë fjalë nga gjuha “tjetër” dhe mësuan se, cilado qoftë përkatësia e tyre, ata kanë të njëjtin qëllim – të arsimohen dhe të rriten në individë të shëndetshëm që do të kontribuojnë njësoj dhe në mënyrë cilësore për një mjedis më të mirë në të cilin në të ardhmën do të jetojnë edhe fëmijët e tyre.

Kjo shkollë e vogël është bërë një burim i shkëlqyeshëm i momenteve të reja, të suksesshme dhe bashkuese që me kalimin e çdo dite shkollore kanë krijuar besim, ndjeshmëri, respekt dhe bashkëpunim midis nxënësve, prindërve të tyre, mësuesve dhe stafit tjetër të shkollës.

Delegacione të shumta të huaja dhe vendase erdhën për vizitë, ndërkaq shkolla u bë një burim i pashtershëm frymëzimi për shumë artikuj gazetareskë që kanë rrëfyer këtë histori suksesi.

Fatosët e atëhershëm sot janë persona të rritur të cilët u arsimuan dhe u rritën në një shkollë pozitive, inkurajuese dhe të sigurt që u bë një shembull dhe model i ndritshëm për shumë shkolla që u rritën në partnerë në zhvillimin e modelit Nansen për arsimin ndërkulturor në Maqedoninë e Veriut.

Hapja e shkollës së parë të integruar dygjuhëshe në Preljubishtë nuk do të ishte mundësuar pa mbështetjen e donatorit kryesor – Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë.