Këtë vit, Qendra për Dialog Nansen Shkup (QDN) feston dy dekada punë dhe përkushtim për zhvillimin e arsimit ndërkulturor në Maqedoninë e Veriut, duke pasur nxënësit, prindërit, mësuesit dhe institucionet si partnerët e saj në atë proces.

Gjatë gjithë këtyre viteve, QDN është udhëhequr nga vizioni i saj – një shoqëri në të cilën të gjithë kanë qasje të barabartë në arsim cilësor të bazuar në ndërkulturalizëm, integrim ndëretnik dhe kohezion.

Për 20 vjet, QDN ka përmbushur misionin e saj – mbështetje dhe kontribut në zhvillimin e arsimit përmes zhvillimit të institucioneve edukuese dhe arsimore, politikave dhe praktikave, si dhe promovimit të dialogut në parandalimin e konflikteve, përmes pajtimit dhe ndërtimit të paqes në shoqëri .

E themeluar në vitin 2000, QDN ka luajtur një rol vendimtar në rivendosjen e besimit midis bashkësive etnike në zonat e prekura nga konflikti i vitit 2001, kështu që sot mund të flasim për hollësitë e nevojshme që Maqedonia e Veriut të bëhet një shoqëri për të gjithë.

Në arritjen e qëllimeve, është e rëndësishme që QDN të fillojë pikërisht nga ata që do të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët – të rinjtë në arsimin fillor. Falë qasjes së saj modeste, fëmijëve nga bashkësi të ndryshme etnike u sigurohet një mjedis në të cilin gjatë viteve ata kanë pranuar se gjuha, kultura, tradita, vlerat, besimet, etj., janë komponentë të bashkimit dhe jo të ndarjes.

Në periudhën vijuese, ne do t’ju paraqesim pesëmbëdhjetë histori rreth ngjarjeve dhe proceseve kryesore me të cilat jemi rritur, dhe këtu po ju sjellim vetëm një njoftim të shkurtër sa për kureshtje:

Në periudhën 2000-2004, QDN ishte më e përqendruar në bashkëpunimin me vendet në rajon përmes seminareve dhe forumeve me gazetarë, udhëheqës të rinj dhe politikanë të rinj. Në vitin 2003, ajo organizoi Shkollën për Politikanët e Rinj në Ohër. Programi i titulluar “Dialogu dhe Pajtimi” filloi në 2005 në Komunën e Jegunovcës, e cila karakterizohej nga ndarja e theksuar etnike pas konfliktit të armatosur në 2001. Aktiviteti i QDN u mbështet fuqimisht nga banorët lokalë, gjë që rezultoi me shkollat e para të integruara dygjuhëshe në vend, të themeluara në fshatin Preljubishtë në 2008 dhe 2010.

QDN ka prezantuar modelin Nansen për arsimin ndërkulturor në Maqedoninë e Veriut, i cili zbatohet në më shumë se 30 shkolla fillore dhe të mesme. Organizata gjithashtu ka përgatitur shumë dokumente strategjike, duke përfshirë Konceptin për Arsim Ndërkulturor, shumë manuale didaktike, hulumtime cilësore, fjalorin dhe librin e bashkëbisedimeve të dyanshem maqedonisht-shqip dhe shqip-maqedonisht, etj.

Në vitin 2011, QDN mori çmimin prestigjioz Max van der Stoel nga OSBE për promovimin e arsimit të integruar dhe përmirësimin e bashkëpunimit midis bashkësive etnike.

Kjo është vetëm një fazë e rrugës së zhvillimit të QDN Shkup. Le të rritemi së bashku për shumë vite të tjera!