Profesori Stajner Brin, themeluesi i rrjetit Nansen Dialog në Ballkan, shqyrtoi rolin e Qendrës për trajnim pranë QDN Shkup gjatë pandemisë, si dhe nevojën dhe gatishmërinë për ndryshim dhe adaptim.

Akoma është herët të dihet se cilat ndryshime janë të përkohshme dhe cilat janë më thelbësore për shkak të përhapjes së virusit Corona. Ajo që është e sigurt është se ne duhet të përmirësojmë aftësinë tonë për t’u përballuar me të papriturat. Siç tha njëherë një politikan i famshëm: ekzistojnë tre gjëra. Së pari janë ato që dimë, së dyti ato gjëra që e dimë që nuk i dimë, dhe së treti ato gjëra që nuk e dimë që nuk i dimë. Ne u kapëm në befasi. Virusi na ka detyruar të rimendojmë konceptet tona më themelore të punës, shëndetit, udhëtimeve, tubimeve shoqërore dhe komunikimit njerëzor. Sfida e veçantë për mësuesit dhe nxënësit është se kjo gjithashtu ndikon në mënyrën se si ne mendojmë për të mësuarit dhe arsimin. Edhe uniteti më themelor, klasa, po pëson ndryshime.

Qendra për dialog Nansen është përqendruar rreth tejkalimit të stereotipave dhe imazheve armiqësore. Strategjia qendrore është ndërtimi i urave për t’i afruar nxënësit nga vijat e ndryshme të ndarjeve kulturore. Unë punoj në Akademinë Nansen në Lillehammer, Norvegji. Gjatë 25 viteve të fundit më shumë se 3000 njerëz nga ish Jugosllavia kanë jetuar dhe bashkëvepruar në këtë cep mjaft të larguar të Evropës. Përmes takimeve sy më sy ata kanë parë që qeniet njerëzore janë shumë më tepër sesa vetëm identiteti i tyre etnik.

Fuqia e këtyre tubimeve ishte se pjesëmarrësit zbuluan aspekte të tjera të personalitetit të njëri-tjetrit. Megjithëse ata erdhën si serbë, shqiptarë, maqedonas, kroatë, boshnjakë etj., dhe megjithëse erdhën me narrativa mjaft fikse të asaj që shkaktoi prishjen e Jugosllavisë, vetë takimi me të tjerët zgjeroi horizontet e tyre dhe tregoi se të gjithë njerëzit kanë identitete të shumëfishta. Njerëzit mund të kenë një konflikt të vërtetë si maqedonas dhe shqiptarë, por dhe interesa të përbashkëta si avokatë, mësues, prindër dhe valltarë. Përmes krijimit të besimit dhe respektit në arenat e tjera të jetës u bë më e lehtë për të folur për vetë konfliktet dhe për të dëgjuar historitë e njëri-tjetrit.

Covid-19 përsëri ka rritur ndarjen midis njerëzve përmes kufizimeve të lëvizjes dhe tubimeve të njerëzve. Puna e Qendrës për Dialog Nansen ka pësuar gjithashtu pasi që tubimet e mëdha të studentëve janë anuluar. Kur ju duhet patjetër të zgjidhni vetëm disa njerëz për të bashkëvepruar, ju sigurisht që i zgjidhni njerëzit tuaj. Kufijtë janë të mbyllur, të huajt janë bartës të mundshëm të infeksioneve dhe komunikimi ngadalësohet në të gjitha anët.

Është një klishe, por ndonjëherë edhe e vërtetë, që kur mbyllet një derë mund të hapet një derë tjetër. QDN Shkup ka përballuar sfida të mëdha në mënyrë që të vazhdojë punën arsimore në Maqedoninë e Veriut. Këto sfida janë përballuar me një përgjigje të fortë dixhitale. Ne dimë mirë që t’i vëmë në pah kufizimet e takimeve dixhitale, por në këto rrethana ato janë  opsioni më i mirë që kemi në dispozicion. Unë kam dhënë leksione të shumta përmes platformës Zoom, dhe në fillim edhe pse ishte shumë e çuditshme, ajo kishte edhe përparësi të dukshme. Në seminaret Zoom mund të merrnin pjesë njerëz që nuk mund të udhëtonin. Në seminaret e Qendrës Nansen për Dialog mund të kemi njerëz që takohen nga vende të ndryshme me një kosto shumë të ulët. Kam mbajtur ligjerata në ngjarjen përmbyllëse të trajnimit të mësuesve “Sfidat e arsimit interkulturor”, një ligjeratë që më parë do ta mbaja në një sallë konferencash në Shkup.

Kam mësuar diçka të rëndësishme. Unë kam vënë re që shumë njerëz mund ta ndiejnë një hotel si një vend solemn dhe nuk është edhe aq e lehtë të mbajsh fjalime para 100 kolegëve mësues. Kur ulen në rrethin e tyre të njohur, disa nga mësuesit ndihen më të lirë për të treguar historitë e tyre të vogla. Takimi dixhital nuk i largoi ata, përkundrazi, më shumë pjesëmarrës ndiheshin më të lirë të flisnin. Unë gjithashtu mbajta një ligjeratë përmes Zoom për studentët e  Fakultetit të Pedagogjisë Shën.Kliment i  Ohrit, Shkup. Aty ndjeva më shumë një lodhje nga Zoom dhe nevojën për një takim fizik.

Pasojat e plota të Covid-19 nuk janë të njohura për ne por duhet të jemi kreativë në përgjigjen tonë për të vazhduar promovimin e Modelit Nansen për arsim interkulturor. Një psikiatër me emrin Viktor Frankl, përjetoi ngjarjet më brutale gjatë Luftës së Dytë Botërore, por thelbi i mençurisë së tij jetësore ishte që në një situatë të caktuar sfiduese njeriu duhet të nxjerrë më të mirën e mundshme prej së njëjtës situate. Kjo është pikërisht ajo që unë mendoj se QDN Shkup ka arritur të bëjë me punën e tyre arsimore gjatë Covid-19.

Megjithatë, Qendra për Dialog Nansen duhet të vazhdojë të promovojë dialogun e drejtëpërdrejtë (sy më sy) si mënyra përfundimtare e favorshme e komunikimit. Një ligjeratë përmes Zoom është një ligjeratë e planifikuar. Ndërtimi i marrëdhënies së drejtpërdrejtë midis njerëzve që ndodhi në Akademinë Nansen ndonjëherë mund të prodhojë mendime dhe reflektime të reja, dhe mund të mundësojë lindjen e ideve befasuese. Në një takim në Zoom ju shpesh keni mundësinë për të thënë gjithçka që dëshironi të thoni, por kjo njëkohësisht është gjithçka që ju mundësohet për të thënë. Kur largoheni nga takimi, ju gjithashtu largoheni nga biseda. Në një takim me pjesëmarrje fizike ju nuk keni nevojë të largoheni dhe keni kohë që të pathënat dhe të pamenduarat t’i shprehni në vijim të bisedës në një mënyrë më joformale.